Читать онлайн
Atropos

Нет отзывов

Për të gjithë lexuesit që po presin me padurim të lexojnë këto histori

Burri zbriti nga autobusi i linjës 19 te Sheshi Braçi në San Laxaro të Savenës, arriti tek kioska e gazetave, bleu një kopje të Resto Del Carlino dhe nisi ta shfletonte. U ul në një nga stolat e Sheshit për të lexuar gazetën por nuk gjeti ndonjë lajm me rëndësi: faqet e para ishin të mbushura të tëra me kronikën, ndërsa brenda gjeti lajme nga ekonomia dhe, më tej, faqet me lajme lokale nga krahina bolonjeze, që nga qyteti e deri tek të gjitha rrethinat e tij. I hodhi një sy edhe njoftimeve publicitare, pa gjetur asgjë interesante. E palosi gazetën dhe, duke e mbajtur poshtë krahut, nisi të ecte përgjatë rrugës Emilia me drejtimin nga Imola.

Arriti tek hyrja e bankës në kryqëzimin me rrugën Jussi, akoma disa qindra metra më përpara, shtyu të parën portë të rëndë prej metali, pastaj të dytën, dhe hyri brenda. Në atë orë të mëngjesit kishte shumë pak klientë dhe, pak minuta pasi kishte hyrë brenda, mundi të paraqitej tek sporteli i parë i arkës që u lirua nga tre sportelet e hapura në atë moment. “Mirëdita”, e përshëndeti punonjësja, “si mund t’ju ndihmoj?” “Do doja të flisja me drejtorin, nëse nuk është i zënë.” “Si të dëshironi. Çfarë ka që nuk shkon?”, e pyeti gruaja, që lëshonte një aromë prej frute aq të rëndë gati sa të sillte të përziera. “Jo, mos u shqetëso. Thjesht po mendoj sesi të investoj më mirë dhe do doja të flisja me të, në mënyrë që të marr një vendim.” “Për këtë gjë janë të gatshëm të gjithë konsulentët tanë financiarë. Besoj se ju mund të flisni shtruar me një prej tyre: të gjithë janë shumë të zotë. Vetëm në rast se dëshironi të flisni posaçërisht me drejtorin ose keni arsye të veçanta për ta shqetësuar” shpjegoi gruaja. “Dëshiroj të flas posaçërisht me drejtorin”.

I

Atë ditë, Davide Paliarini po kthehej nga palestra ku kalonte nja dy orë mbasditeve gjatë javës, duke përfshirë edhe fundjavën.

Jetonte vetëm, në një kondominio në rrugën Venecia në San Laxaro të Savenës.

E kishte marrë atë vendim pas një vit fejese dhe një vit bashkëjetese me shoqen e tij. Me pëlqimin e të dyve i kishin thënë mjaft njëri tjetrit, nuk do mundnin më të jetonin bashkë pasi, ndryshe nga sa e mendonin në fillim, me sa dukej nuk ishin bërë tamam për njëri tjetrin.