Читать онлайн
Kriteri I Leibnizit

Нет отзывов

KRITERI I LEIBNIZIT

Maurizio Dagradi

Përkthimi i Lata Bejusha

Parathënie

Askujt nuk i pëlqen të lexojë parathëniet, përfshirë edhe mua, prandaj po i bie shkurt.

Qëllimi i këtij libri është të kontribuojë në hapjen e mendjes së shumë personave skeptikë, të cilët nuk e ndiejnë në mënyrë instiktive që universi gëlon nga jeta, ose që akoma nuk janë përballur me këtë problem.

Kush ka provuar t’u shpjegojë atyre në mënyrë pak a shumë të argumentuar, apo shkencore, pak a shumë filozofike siç duhet të jetë në të vërtetë çështja, do ketë kuptuar patjetër që numri i njerëzve që ka bindur seriozisht është qesharak, në krahasim me subjektet e pyetura. Nuk e di pse; nuk e di nëse ka lidhje me trashëgiminë gjenetike, apo me informacionet me të cilat njeriu ka qenë në kontakt në fëmijërinë e hershme, apo diçka tjetër. E vërteta është që kjo situatë tragjike është degraduese për racën njerëzore, e cila është veç njëra nga racat e tjera të shumta të shpërndara në univers.

Më pëlqen të mendoj që në këtë çast dikush tjetër i zhgënjyer dhe mendjemadh si unë është duke shkruar një parathënie të ngjashme për një libër të ngjashëm, mbi planetin e parë Epsilon Eridani, duke u përpjekur të bindë lexuesit e tij që mund të ketë edhe raca me vetëm dy këmbë dhe dy krahë, e që ndoshta nuk thithin formalinë të lëngshme.

Pas-parathënie

Nëse keni arritur deri këtu, ju dua. Ju dua sepse e keni tashmë Shkëndijën ose doni Ta ndizni atë.

Ndërkaq, iu thoni lamtumirë atyre që nuk mbërritën deri këtu, dhe tani po më mallkojnë me ofendimet më gjakatare dhe degraduese që fjalori i tyre mban. Ata do të shkojnë në dyqanin ku të shkujdesur kanë blerë këtë libër të shkretë, do ta përplasin mbi banak dhe do kërkojnë t’ju kthehen paratë ose të ndërrojnë librin me ndonjë tjetër, duke i treguar të punësuarit fatkeq indinjimin e tyre mbi faktin që një botues ka patur shijen e keqe të publikojë një mbeturinë të tillë. Këta individë nuk do të jenë asnjëherë kolegët tanë në besimin ndaj një të Vërtete që, nëse ndonjëherë ka patur një të tillë përtej fesë që ta meritonte, kërkon një Akt Besimi.

Prolog

Helikopteri ushtarak qëndronte në ajër nja dhjetë metra lartësi mbi kënetën vjekjeprurëse, me elikën e bishtit që ndonjëherë bllokohej duke mos lejuar që trupi i tij të fillonte të rrotullohej në drejtimin natyral, në të kundërt të drejtimit të elikës kryesore. Pastaj pasi elika fillonte të punonte menjëherë helikopteri arrinte një ekuilibër delikat me lëkundje të frikshme deri herën tjetër, që mund të ishte edhe e fundit. Pa elikën e bishtit helikopteri do rrotullohej rreth vetes dhe çdo mundësi për të zotëruar mjetin do të zhdukej.

Në kabinë, piloti luftonte për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe pozicionin, duke zbatuar komandat me një delikatesë dhe saktësi që binte ndesh në mënyrë dredharake me kushtet e tij të përgjithshme: nga shpatulla e majtë i dilte një copë xhami që vinte nga xhami mbrojtës i kabinës, i ngulur të paktën pesë centimetra në mishin e butë; përreth plagës veshja e fluturimit ishte ngjyer në gjakun që po përhapej me shpejtësi drejt krahut dhe kraharorit të burrit. Copa të tjera xhamash ishin përhapur mbi gjunjët e tij dhe mbi dyshemenë e kabinës.

Në të djathtë të tij, piloti i dytë prehej i kthyer përmbys, i lidhur në ndenjëse, me qafën të shqyer nga një copë xhami. Gjaku gurgullonte vrullshëm nga karotidja e copëtuar, pompuar pa ndalesë nga zemra e çoroditur.